Meta ka prezantuar disa risi në Messenger, duke integruar Inteligjencën Artificiale (IA) për të përmirësuar përvojën e përdoruesve. Një nga këto risi është eliminimi i zhurmave gjatë video-telefonatave, duke ofruar cilësi HD dhe izolim të zërit. Këto veçori mund të aktivizohen përmes cilësimeve në menu, ndërsa telefonatat HD janë automatike kur përdoret Wi-Fi; për lidhjet e tjera, opsioni mund të zgjidhet manualisht.
Përdoruesit tani mund të dërgojnë mesazhe audio ose video kur marrësi nuk është i disponueshëm, funksion që vepron si një sekretari telefonike dixhitale. Në rast se dikush nuk i përgjigjet një telefonate, mund të shtypet “Record message” për të dërguar një mesazh zanor ose pamor.
Përditësimi përfshin edhe integrimin me Siri në pajisjet iOS. Përdoruesit mund t’i kërkojnë Sir-it të dërgojë mesazhe ose të bëjë telefonata në Messenger duke përdorur komanda zanore, si p.sh., “Hej Siri, dërgoji një mesazh [emri i personit] në Messenger” duke cituar edhe mesazhin tuaj.
Gjithashtu, janë prezantuar sfondet e krijuara nga IA për video-telefonatat. Gjatë një video-telefonate, duke shtypur “effect” dhe më pas “Backgrounds”, përdoruesit mund të krijojnë dhe zgjedhin sfondet e preferuara të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale.
Këto përditësime janë pjesë e paketës së re të Meta-s, e cila përfshin edhe funksione si “Communities”, integrimin e Meta AI në shiritin e kërkimit dhe mjete për dërgimin e dosjeve më të mëdha.