Temperaturat e ulëta mund ta bëjnë më të vështirë ndezjen e makinës, sidomos nëse bateria është e vjetër ose nuk është në gjendje të mirë. Për këtë arsye, është mirë ta kontrollosh para fillimit të dimrit.

Kontrollo gjendjen dhe tensionin e baterisë dhe sigurohu që terminalet të jenë të pastra dhe të lidhura mirë. Nëse makina ndizet më ngadalë se zakonisht, mos e neglizho këtë shenjë.

Gjatë ditëve të ftohta, shmang lënien e dritave, radios ose pajisjeve të tjera elektrike të ndezura kur motori është i fikur. Nëse makina qëndron për një kohë të gjatë pa u përdorur, bateria mund të shkarkohet më lehtë.

Është gjithashtu mirë të kesh në makinë kabllo për ndezje të baterisë ose një pajisje portative për ndezje emergjente.

Nëse bateria është e vjetër dhe ka filluar të humbasë fuqinë, kontrolloje në servis para se të fillojnë temperaturat më të ulëta. Një kontroll në kohë mund të të shpëtojë nga situata kur makina nuk ndizet në mëngjes.